Rrugëtimi i Shqipërisë drejt BE‑së
Një udhërrëfyes i qartë dhe lehtësisht i kuptueshëm për rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian – nga aplikimi dhe statusi i vendit kandidat, te negociatat e anëtarësimit, etapat e reformave dhe hapat që mbeten përpara.
Përpara në rrugëtimin evropian
Shqipëria aplikoi për anëtarësim në BE në vitin 2009 dhe mori statusin e vendit kandidat në vitin 2014. Negociatat e anëtarësimit nisën zyrtarisht me Konferencën e parë Ndërqeveritare në korrik 2022.
Që atëherë, procesi ka marrë hov. Shqipëria hapi negociatat për të 33 kapitujt deri në fund të vitit 2025. Në korrik 2026, tre kapituj – shkenca dhe kërkimi, arsimi dhe kultura, si dhe marrëdhëniet me jashtë – u mbyllën përkohësisht. Janë përcaktuar gjithashtu kriteret përmbyllëse për kapitujt e sundimit të ligjit në grupkapitullin "Themeloret".
Çdo hap mbështetet në meritë. Përparimi varet nga miratimi dhe zbatimi i reformave, si dhe nga rezultatet e tyre të qëndrueshme. Kjo e bën rrugëtimin drejt anëtarësimit më shumë sesa një varg takimesh: ai është një proces transformimi që forcon institucionet, ekonominë dhe të drejtat e qytetarëve.
Rrugëtimi i Shqipërisë drejt BE‑së
2009
Aplikimi për anëtarësim në BE
2014
Shqipëria merr statusin e vendit kandidat për në BE
2022
Nisin negociatat e anëtarësimit
2025
Hapen të 33 kapitujt
2026
Tre kapituj mbyllen përkohësisht
Ku ndodhet Shqipëria sot
Deri më 14 korrik 2026, negociatat janë hapur për të 33 kapitujt. Tre kapituj – shkenca dhe kërkimi, arsimi dhe kultura, si dhe marrëdhëniet me jashtë – janë mbyllur përkohësisht. Janë përcaktuar gjithashtu kriteret përmbyllëse për kapitujt e sundimit të ligjit në grupkapitullin "Themeloret".
Hapat e mëtejshëm
Procesi vijon mbi bazën e meritës. Shqipëria duhet të përmbushë kriteret përmbyllëse për secilin kapitull dhe të dëshmojë se reformat zbatohen dhe prodhojnë rezultate të qëndrueshme. Kapitujt mbeten të mbyllur përkohësisht derisa të përfundojnë negociatat në tërësi dhe të dakordësohen kushtet e anëtarësimit.
Burimet zyrtare: Këshilli i BE-së – Shqipëria | Komisioni Evropian – Shqipëria